Secondary Adv

BE akordon 200 mln euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi

Bashkimi Evropian pritet të disbursojë rreth 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Lajmi u bë i ditur nga Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, gjatë një komunikimi me gazetarët, ku ajo theksoi se zbatimi i Planit të Rritjes po avancon sipas parashikimeve.

 

“Në zbatimin e Planit të Rritjes gjithçka po ecën shumë mirë dhe në ditët në vijim do të disbursojmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë”, deklaroi Kos.

 

Fokus te integrimi ekonomik i rajonit

Sipas Komisioneres, Bashkimi Evropian po sjell rezultate konkrete edhe në procesin e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun europian.

 

Ajo kujtoi se Serbia iu bashkua së fundmi Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në sistemin SEPA, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për integrimin financiar dhe ekonomik të rajonit me tregun europian.

 

Sistemi SEPA lehtëson transfertat bankare dhe pagesat ndërkufitare në euro, duke ulur kostot dhe duke rritur efikasitetin e transaksioneve financiare mes vendeve pjesëmarrëse.

 

Samiti BE–Ballkani Perëndimor në qershor

Marta Kos bëri të ditur gjithashtu se po vijojnë përgatitjet për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 5 qershor në Podgoricë.

 

Ajo theksoi se pret një angazhim të fortë nga të gjitha vendet kandidate të rajonit për të vijuar procesin e integrimit europian.

“Pres një angazhim shumë të fortë nga të gjithë kandidatët e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar të palëkundur në rrugën e tyre evropiane”, deklaroi Komisionerja për Zgjerimin.

 

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një nga instrumentet kryesore financiare të Bashkimit Evropian për të mbështetur reformat ekonomike, integrimin rajonal dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me standardet dhe tregun e BE-së.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat